Tirana ka triumfuar në transfertë përballë Egnatias, në ndeshjen e vlefshme për javën e 22-të të “Abissnet Superiore”. Sfida e zhvilluar në stadiumin e Rrogozhinës përfundoi 0-1. Pas këtij dueli ka folur trajneri i rrogozhinasve, Edlir Tetova.
“E kemi dominuar, kemi qenë gjithë kohës te porta e Tiranës. Mendoj që thjeshtë te rasti i golit duhet të ishim më të vëmendshëm. Morëm një gol që as vetë nuk e di si e morëm. Përtej pjesës teknike, kam shumë rezerve për arbitrimin. Ndeshja e katërt që ne kemi penallti dhe nuk na e japin. S’di se çfarë duhet të bëjmë më tepër. Nuk dua të shfajësohem, por duhet drejtësi për dy skuadrat. Jo çdo prekje për lojtarët e Tiranës është faull dhe për lojtarët tonë, s’është. Është shumë e turpshme! Theksi është te drejtësia dhe efektiviteti i futbollit, si duhet të shkojmë përpara, çfarë duhet të bëjmë ne më tepër për të shënuar gol.
Këtë radhë te goli Aleksi u përplas me Poçin, kishte probleme në komunikim. Dyfishimi i Xhemajlit ishte me vonesë, por edhe shpejtësia e Xhixhës. I vetmi rast dhe marrim gol, sigurisht që të vjen keq. Unë dua drejtësi. Nuk mund të flas për anën teknike shumë, pasi siç e keni parë nuk ke se çfarë i thua lojtarëve sepse kemi qenë superiorë. Duhet të rishikohen gjërat, u bë ndeshja e katërt, nuk e di pse. Megjithatë, unë besoj në Zot dhe atë që kam risk për ta marrë, s’ma heq njeri qoftë edhe më i miri.
Jo vetëm kemi pësuar sistematikisht, edhe kemi shënuar sistematikisht, por na janë hequr golat. Jemi dakord bashkë? Kemi një bllok të Tiranës, 20 metra. Në situatat një kundër një është e vështirë të depërtosh. Nuk ishim agresivë te 11 metrat e fundit. Loja efektive siç e patë, në pjesën e dytë nuk është luajtur më shumë se 10 minuta futboll, po të ishte luajtur më shumë, do të isha i kënaqur.
Penalltia e Grudës, është penallti. Kjo është llogjikë pavarësisht interpretimit. Pastaj rasti në minutën e 53-të te Jaime, nuk merret fare me topin lojtari i Tiranës. Megjithatë, ata që e kanë parë kanë bërë gabim njerëzor për ndeshjen e katërt radhazi”, tha Tetova.
