
Kur duhen edhe 2 ditë për të startuar Superiorja, njëra prej ndeshjeve të javës së parë është shtyrë. Është pikërisht sfida mes Dinamos dhe Teutës.
Shtyrja e kësaj sfide është bërë me kërkesë të Dinamos. “Blutë” ditën e enjte do të luajnë në “Play-Off” të Conference League dhe për shkak të këtij aktiviteti, drejtuesit kanë kërkuar mirëkuptimin e drejtuesve të Teutës për të shtyrë këtë takim. Kërkesë e cila u mor parasysh nga durrsakët.
Përballje kjo që ishte parashikuar të zhvillohet ditën e dielë në orën 20:00, tashmë do të luhet në një tjetër datë. FSHF bën me dije se kjo përballje do të luhet më 5 shtator në orën 17:00 në “Niko Dovana”.
Ndërkohë Dinamo do të zhvillojë ndeshjen e parë në play-off të Conference League ndaj Jagiellonia më 21 gusht, ndërsa sfida e kthimit do të luhet më 28 gusht.