Vllaznia i ka të qarta objektivat për sezonin e ardhshëm. Në Shkodër duan titullin kampion dhe e duan me çdo kusht ta marrin edicionin e rradhës. Nuk ka më kohë për të humbur, më shumë se 2 dekada pa titull janë shumë për një klub si Vllaznia.
Kuqeblutë do të futen fuqishëm në merkato për të afruar lojtarët më të mirë në qarkullim. Emra si Erald Çinari e Lorenco Vila e konfirmojnë këtë. Së fundmi, shkodranët kanë shfrytëzuar një mundësi okazion për Superioren.
Ardit Deliu mbylli kontratën me Tiranën dhe do të jetë një futbollist i lirë. Mesfushori ka shumë oferta duke filluar nga rinovimi, e deri te Dinamo apo ekipet nga Kosova. Por, është Vllaznia ajo që ka fituar garën.
Drejtuesit kanë mbyllur me sukses bisedimet me Deliun, sipas Ora News, dhe mesfushori pritet të firmosë kontratën e re në Shkodër. Një afrim i bujshëm në merkato dhe një goditje ndaj një rivali si Tirana duke i marrë një nga futbollistët më të mirë që kishte.
Ajo që mbetet është vetëm zyrtarizimi i klubit për të konfirmuar gjithçka.
