
Flamurtari është rikthyer në elitë pas 5 vitesh mungesë dhe tashmë në Vlorë pavarësisht se vazhdohet ende me stërvitjen, drejtuesit kanë nisur punën për sezonin e ri. Kështu kanë nisur të projektohen prurjet e reja, të cilat padiskutim do ta bënin Flamuartarin të “frikshëm”.
Odise Roshi është “ëndrra” e vlonjatëve dhe për të bërë realitet diçka të tillë, Sinan Idrizi është i gatshëm të “derdhë” arkat. “Rraketa” e Kombëtares pëlqehet shumë nga drejtuesit, të cilët synojnë ta rikthejnë në Vlorë.
Për këtë si “shkesi” do të jetë Andi Ribaj, i cili siç dihet ka një miqësi të fortë me Roshin. 33-vjeçari aktualisht është pjesë e Erzurumspor FK në Turqi, ku ka zhvilluar një sezon fantastik. Fieraku asnjëherë nuk e ka fshehur dëshirën për t’u rikthyer në Vlorë, e cila mund të shërbejë edhe si një mbyllje e karrierës së tij.
Kujtojmë se Roshi ka mbajtur veshur fanellën e Flamurtarit në sezonin 2009-2010 dhe nëse Sinan Idrizi do të arrijë ta bindë do të ishte rikthimi më i bujshëm në Superiore.