
Empoli siç duket nuk ka ndërmend të heqë dorë nga shqiptarët. Kështu skuadra italiane i ka “shkelur” syrin një tjetër futbollisti shqiptar.
Bëhet fjalë për Emiljano Mihanën, i cili ndaj Bylisit bëri debutimin me skuadrën e parë të Tiranës. Pavarësisht se është vetëm 17-vjeç, talenti i bardhebluve duket se ka tërhequr vëmendjen e disa ekipeve dhe tashmë Empoli po studion me imtësi këtë pistë.
Drejtuesit e Empolit do të monitojnë Mihanën në vazhdim dhe në merkaton e verës për të tentuar transferimin e tij. Nëse diçka e tillë do të realizohet, atëherë Mihana do të ndiqte rrugën e Jordi Jakut, i cili vetëm pak javë më parë u zyrtarizua te Bologna.
Ndërkohë kujtojmë se në syrin e një tjetër ekipi italian është edhe Ermal Meta. Ky i fundit po monitorohet nga Sampdoria dhe mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë në muajt në vazhdim, por një gjë është e sigurtë se me shitjen e këtyre lojtarëve, Tirana do të mbushë “arkat”.