
Gentian Mezani është emri më i fundit në listën e Tiranës për trajnerin e ri. Klubi bardheblu do të nisë revolucionin pikërisht nga pankina dhe lista është e gjatë për pasuesin e Erbim Fagut.

Raportimet e fundit nga Kosova bëjnë me dije se Mezani është shumë pranë marrëveshjes me drejtuesit kryeqytetas për t’u bërë trajneri i ri i ekipit. Mezani u largua nga Gjilani, skuadra ku ka kaluar pjesën më të madhe të karrierës si trajner dhe aty ku ka fituar dashurinë e tifozëve gjilanas.
Në Superiore, Mezani ka drejtuar më parë Flamurtarin e Laçin, ndërsa pas disa viteve të mira në Kosovë bëhet gati për shansin e artë tek një nga ekipet më të mëdha në trojet shqiptare.
Java që vjen do të jetë vendimtare për Tiranën me klubin që do të zyrtarizojë gjithçka për trajnerin e ri, nga ku do të nisë edhe revolucioni bardheblu.