
Partizani dhe Dinamo zhvilluan një ndeshje dramatike në “Arenën e Demave” e cila përfundoi në barazim 2-2. Të kuqtë panë t’u rrëshkiste fitorja nga duart teksa në minutën e 92’ kishin përmbysur rezulttin në 2-1, por sfida nuk do të mbaronte me kaq dhe Dinamo barazoi në të 96-tën.
Dy gola të pësuar në shtëpi nuk janë diçka e zakonshme për Partizanin. Demat njihen si skuadra që rrallëherë gabon përpara tifozëve të tyre, edhe në ato pak raste me rezultate minimale. Duhet të rikthehemi pas në fillim të këtij viti, në herën e fundit kur Partizani pësoi 2 gola në shtëpi, ndaj Erzenit e Laçit në humbjet 1-2 që rezultojnë të vetmet humbje në këtë stadium në sezonin e fundit në kohën e rregulltë.
Duelet direkte me Dinamon që pas rikthimit 3 sezone më parë flasin vetëm për Partizanin që ka 6 fitore, 4 barazime dhe vetëm 1 humbje. E fundit ishte debutim për Ilir Dajën dhe natyrisht, atmosfera merr një tjetër intonacion.
Shihej qartë dëshira e bluve për të dominuar kundërshtarin që në pjesën më të madhe të lojës, ja dolën ta bënin. Një barazim 2-2 në transfertë ndaj Partizanit, nuk mund të quhet aspak negative për një skuadër që ka vuajtur vitet e fundit.
Nëse Lorenco Vila do të shënjestronte më saktë portën në aksionin final, Dinamo mund të dilte me një fitore të artë nga ‘Arena e Demave’, por futbolli i ka edhe këto momente.