Tirana – Bylisi është një nga takimet e javës së 13-të të Superiores, përballje që është parashikuar të luhet ditën e dielë në orën 17:00.
Një sfidë shumë e rëndësishme për bardheblutë, të cilët do të tentojnë rikthimin te fitorja në kampionat, teksa situata në kampin bardheblu nuk është shumë e qetë. Ende në stol nuk është zyrtarizuar zëvendësuesi i Bledi Shkëmbit, teksa gjasat janë që Gugash Magani të marrë “frenat” e kryeqytetasve.
E përveç kësaj çështje, një tjetër situatë është me stadiumin. Nga sa mësohet stadiumi që do të presë duelin mes Tiranës dhe Bylisin do të jetë njëri mes “Elbasan Arenës’ dhe “Niko Dovanës”.
Këto janë dy impiantet më potenciale për t’u bërë “shtëpia” e radhës për Tiranën, ndërsa në ditët në vazhdim pritet të konfirmohet gjithçka. Ndërkohë vlen të theksohet se pavarësisht se në cilin stadium do të zhvillohet kjo përballje, kjo sfidë nuk do të ketë tifozë. Kjo pasi siç dihet Tirana është dënuar nag Komisioni i Disiplinës të luajë ndeshjet pa tifozë deri në fund të këtij sezoni.