
Trajneri Ilir Daja ka folur në konferencën për shtyp para takimit të ardhshëm në Superiore. Dinamo përballet në sfidën e parë të vitit 2025 me Bylisin në Ballsh.
Dinamovitët kryesojnë Superioren me 34 pikë, por tekniku ka thënë se ekipi nuk ka pushuar fare pothuajse me përjashtim të ditës së Vitit të Ri dhe asaj të Krishtlindjes. Sipas tij, grupi është i plotë me përjashtim të Mandelës që ka shkuar në Afrikë për arsye të dokumentave.
"Thuajse nuk kemi pushuar këtë periudhë, me përjashtim të Krishtlindjeve dhe Vitit të ri, me nga 2-3 ditë. Vetëm ndeshjet kanë qenë mangët dhe nuk kemi ritmin e tyre.
Gjithë grupi është në dispozicion për ndeshjen me Bylisin, por jo të gjithë janë të gatshëm. Mandela vjen nga një dëmtim, nuk ka qenë me grupin për disa ditë, pasi ka shkuar në vendlindje për shkak dokumentacioni.
Na pret një ndeshje e vështirë, Bylisi e ka treguar edhe në dy ndeshjet e tjera. Jo vetëm në fushën e vet shprehet mirë, por edhe në transfertë. Jemi gati dhe shpresojmë të vazhdojmë serinë e rezultateve pozitive, duke e marrë seriozisht Ballshin.
Kupa? Fujka e saj është e mirë, ndoshta do të ishte më mirë të fillonte viti me Kupën dhe të vazhdonte me kampionatin. Ka të mirën që në këtë trejavësh me ndeshje të munguara futesh më mirë në ritëm” u shpreh tekniku Daja.