
Ditën e nesërme do të zhvillohet derbi i kryeqytetit mes Tiranës dhe Dinamos i vlefshëm për javën e 27-të të Kategorisë Superiore. Në prag të këtij dueli të rëndësishëm, trajneri i dinamovitëve Ilir Daja doli në konferencë për shtyp.
“Derbi nuk ka të bëjë gjendjen e ekipeve, pavarësisht se Tirana ka objektiv për të shpëtuar nga pozicionet e rënies dhe ne për të vazhduar rrugëtimin në 4-she. Tirana është pak më e favorizuar se ne, pasi Dinamo ka luajtur në mesjavë.
Derbi është një ndeshje që luhet për tifozë, për ne trajnerët është problem vetëm menaxhimi, që lojtarët të mos kalojnë në atë presion që e ka derbi në vetvete. Si dhe për të ruajtur ekuilibrat, sepse derbit fitohen nga episodet. Edhe Tirana, por edhe ne, kërkojmë të bëjmë lojë të hapur, sepse nuk bën punë barazimi.
Kemi pasur probleme të vogla me disa lojtarë, por që besoj se do të jenë në dispozicion. E vetmja mungesë është Maliqi për shkak dëmtimi. Nuk kemi probleme me sulmin, ndoshta ka të bëjë motivimi i lojtarëve. Sepse kur ata shohin një ekip me të rinj, edhe motivimi nuk është maksimal. Sulmuesit tanë kanë shënuar nga 10 gola Mandela dhe Zabërgja, pastaj Bregu me 7 dhe Nani me 5. Ndoshta ka ndikuar mungesa e Mandelës, që është një forcë e madhe për ekipin tonë.
Nuk mendoj që Europa është e sigurt, sepse jemi në gjysmëfinale të Kupës dhe kemi edhe 3 ndeshje për të përmbyllur këtë kompeticion shumë të rëndësishëm. Plus edhe në kampionat duhet të mos humbim përqendrimin, sepse mund të ndodhë çdo gjë. Kemi favoret tona për të shkuar në Europë, por duhet të vazhdojmë me të njëjtin ritëm si tani.
Presioni te Tirana? Unë do të thosha presioni është 50 me 50. Presioni është te Tirana nga renditja, sepse lojërat nuk i kanë munguar në kampionat. Mbrojtja? Të dy ekipet kanë tranzicione të forta, që do të thotë se nuk do të përballen mbrojtja me sulmin apo anasjelltas. Ekipi që do të kalojë më shpejt nga njëra fazë e lojës te tjetra do të jetë i avantazhuar për të shkuar drejt fitores”, theksoi Daja.