
Komisioni i Etikës dhe Disiplinës pranë FSHF ka bërë të ditur ditën e sotme vendimet për javën e fundit të futbollit shqiptar. Shumë vendime janë marrë duke filluar nga Superiorja, Kategoria e Parë dhe futbolli i moshave.
Për shkak të sjelljes së tifozëe dhe hedhjes së sendeve në fushë, Elbasani dhe Vllaznia janë gjobitur me nga 50 mijë lekë të reja. Për të njëjtën arsye, Teuta dhe Tirana janë gjobitur me nga 100 mijë lekë të reja.
VENDIMET:
AF Elbasani, për sjellje të gabuar të spektatorëve duke hedhur sende në fushën e lojës, në bazë të nenit 17/2/b të KDE, dënohet me gjobë në masën 50.000 (pesëdhjetë mijë) lekë.
KF Teuta, për sjellje të gabuar të spektatorëve duke ndezur flakadanë dhe mjete të tjera piroteknike, duke hedhur sende në fushën e lojës, duke shkaktuar ndërprerje të përkohshme të lojës, në bazë të neneve 17/2/b, 17/2/c dhe 17/2/h të KDE, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë.
KF Vllaznia, për sjellje të gabuar të spektatorëve duke ndezur flakadanë dhe mjete të tjera piroteknike, si dhe duke hedhur sende në fushën e lojës, në bazë të neneve 17/2/b dhe 17/2/c të KDE, dënohet me gjobë në masën 50.000 (pesëdhjetë mijë) lekë.
KF Tirana, për sjellje të gabuar të spektatorëve duke ndezur flakadanë dhe mjete të tjera piroteknike, duke shkaktuar ndërprerje të përkohshme të lojës, në bazë të neneve 17/2/c, 17/2/f dhe 17/2/h të KDE, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë.
KF Tirana, urdhërohet të dëmshpërblejë dëmet e shkaktuara në Stadiumin “Arena Egnatia” sipas akt konstatimit, brenda 15 ditëve.
KF Pogradeci, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hedhur sende në fushën e lojës, duke rrezikuar sigurinë e lojtarëve kundërshtarë dhe zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të neneve 17/2/c dhe 17/2/h të KDE, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë. Në zbatim të nenit 76/1/a të KDE, gjoba të aplikohet në masën 50%.
Zyrtari i Besa FC, Shpëtim Duro, në bazë të nenit 6/1/a të KDE, paralajmërohet se në rast të përsëritjes së shkeljes të nenit 77 të Rregullores së Aktivitetit, duke refuzuar daljen në intervistë pas ndeshjes, do të jetë subjekt i masave disiplinore që parashikon Kodi i Disiplinës dhe Etikës dhe Rregulloret e FSHF.
KS Korabi, në bazë të nenit 6/1/a të KDE, paralajmërohet se në rast të përsëritjes së sjelljes së gabuar të spektatorëve, do të jetë subjekt i masave disiplinore që parashikon Kodi i Disiplinës dhe Etikës dhe rregulloret e FSHF.
Zyrtari i FC Dinamo City U-19, Artan Sakaj, për protestë ndaj vendimeve të zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/c të KDE, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.
Kundër vendimit lejohet ankim brenda 3 (tre) ditëve përpara Komisionit të Apelit.