
Supersfida e ditës së sotme në Superiore është derbi mes Tiranës dhe Dinamos. Duel që do të luhet në “Elbasan Arena” në orën 17:00.
Një takim që sigurisht merr vëmendjen kryesore të tifozëve, me skuadrat që do të duelojnë mes tyre për 3 pikët e kësaj jave. Blutë synojnë vazhdimësinë në kampionat për të blinduar edhe vendin e tyre në “Final – Four”.
Nga krhau tjetër bardheblutë tentojnë rikthimin te fitorja për të dalë nga zona e ftohtë e klasifikimit dhe për ekipin e Bledi Shkëmbit 3 pikët janë “jetike” dhe shumë të rëndësishme për mbijetesën.
Por pavarësisht situatës në të cilën ndodhen 2 ekipet, statistikat janë në favor të ekipit të Tiranës. Kjo pasi në 12 përballjet e fundit mes tyre, bardheblutë kanë triumfuar në 7 raste. 3 fitore ka marrë Dinamo, ndërsa 2 sfida kanë përfunduar në barazim mes tyre.