
Tirana dhe Partizani do të përballen këtë të hënë për të luajtur derbin e fundit të këtij sezoni, ndeshje e vlefshme për javën e 33-të të Superiores. Supersfida që do të zhvillohet në stadiumin “Arena Kombëtare”, do të nisë në orën 20:00.
Në prag të këtij dueli ka folur trajneri i bardhebluve, Bledi Shkëmbi. Ky i fundit është shprehur se ndeshja përballë “Demave” është jetike, duke thënë që duhet të bëjnë shumë pasi janë në luftë për mbijetesë.
“Është ndeshje jetike pasi me gabimet tona e kemi bërë kështu përsa i përket pikëve, jo vetëm si derbi ku dihet që të dyja skuadrat bëjnë mbi maksimumin për ta fituar. Luftojmë për mbijetesën, duhet të bëjmë shumë më shumë se sa Partizani, vuajmë për pikë, duhet të bëjmë diçka ndryshe nga ajo që bëmë me Elbasanin.
Duhet të kemi fytyrë tjetër jo si me Elbasanin që e nisëm mirë por në fund u treguam të vegjël. Ndryshe është që të vrapojmë, luftojmë dhe besojmë më shumë, pasi ndeshjen e fundit pashë që skuadra ndryshoi besimin. Mua nuk mu duk që u vetëkënaqem por hymë në presion, nuk ja lejojmë vetes, skuadra vuan anën psikologjike. Shpresoj që kundërshtarët të mos jenë në një ditë të mirë, problemin e kemi pasur te vetja dhe jo kundërshtarët. Ne nuk po bëjmë mirë pjesën tonë, kemi bërë ndeshje të mira në minuta të veçanta, duhet të kemi vazhdimësi, nuk ja lejoj vetes dhe skuadrës që të merremi me të tjerat kur vetë nuk jemi aty ku duhet.
Patjetër që ka një ndryshim, është një skuadër që duhet analizuar me tepër, Partizan me më shumë luftë dhe ego këto dy ndeshjet e fundit, po bëjmë shumë gabime dhe iu kemi bërë ndere kundërshtarëve, duhet ta mbyllim tani. Ne do të mundohemi të sulmojmë për të shënuar golin. Që në ditën e parë në këtë kampionat, e kam orientuar skuadrën vetëm të fitojë, duhet të bëjmë maksimumin për të marrë 3 pikët, edhe pse nuk ka asnjëherë siguri, duhet të luftojmë dhe të vraposh.
Ndodh që bën një ndeshje të mirë dhe humb dhe po ashtu bën një ndeshje të dobët dhe fiton. Tifozët kanë të drejtën e tyre që në këtë moment të jenë të mërzitur dhe e them me sinqeritet, por ne të gjithë largohemi nga Tirana por kjo Tiranë është e tifozëve, në derbi do e kemi mbështetjen e tyre”, është shprehur Shkëmbi para derbit.