
Pasi u mposht 2-0 në Gjeorgji, Partizani nuk ia doli që të bënte mrekullinë në ndeshjen e kthimit. “Demat” barazuan pa gola përballë Iberias në sfidën e zhvilluar në “Elbasan Arena”, rezultat ky që eliminon të kuqtë nga Conference League.
Megjithatë, mund të themi se Partizani u largua me kokën lart nga Europa. “Djemtë” e Orges Shehit ishin të vetmit nga Superiorja që ia dolën të kalonin të paktën 1 tur në arenën ndërkombëtare. Edhe pse eliminimi nga Iberia dhemb, “Demat” mund të ngushëllohen si më të mirët e Superiores në Europë.
Kujtojmë se Tirana dhe Vllaznia u eliminuan që në turin e parë, respektivisht nga Torpedo Kutaisi dhe Valur. Në krahun tjetër, Egnatia u eliminua nga turi i parë i Champions League dhe kaloi direkt në turin e dytë të Conference League.
Por, as këtu nuk ia doli që të kalonte të paktën një tur. Kujtojmë që rrogozhinasit u mposhtën mbrëmjen e sotme 0-2 nga Vikingur, ndaj të cilëve kishin fituar ndeshjen e parë 0-1.