
Fitorja ndaj Bylisit në transfertë ka rritur optimizmin në skuadrën e Tiranës. Bardheblutë mposhtën ekipin mallakastriot me rezultatin bindës 3-0 dhe tashmë duket se do të ketë një kthesë nga ekipi.
Në debutimin e tij, trajneri Bledi Shkëmbi inkuadroi në lojë një prej lojtarëve të Akademisë së Tiranës, Emiljano Mihanën që është shpërblyer menjëherë nga trajneri i klubit duke u bërë pjesë e ekipit të parë tashmë.
Këtë e ka konfirmuar vetë Tirana përmes një postimi në faqen e tyre zyrtare. “Emiljano Mihana bën debutimin e tij të parë si titullar në ndeshjen FK Bylis - KF Tirana.
Trajneri Shkembi ka vendosur t’i japë besimin të riut, lojtar i Akademisë së Futbollit Tirana. Rritu, mëso, puno! Akademia e Futbollit Tirana siguron gjithmonë që bankina e klubit të jetë e mbushur me talente të cilët punojnë fort për t’i bërë vend vetes në formacione të ndeshjeve.”, shkruan klubi bardheblu.