Partizani dhe Vllaznia kanë barazuar në ndeshjen e vlefshme për javën e 12-të të Superiores. Sfida e zhvilluar në stadiumin “Arena e Demave”, përfundoi me shifrat 1-1. Pas këtij dueli ka folur zv.trajneri i shkodranëve, Ergi Borshi.
“Kjo ndeshje nuk është ndonjë gjë e madhe. S’ishim në nivelin që janë mësuar të na shohin, por duhej edhe rotacion, i kemi lojtarët për diçka të tillë. E kishim lojën nën kontroll, por pa krijuar raste dhe rrezik. Pësuam një gol që ishte mungesë përqendrimi e jona. Në pjesën e dytë treguam tjetër fytyrë, u krijua lojë tranzicionesh. Normalisht që Partizani s’duhet të nënvlerësohet, s’e meriton të jetë aty ku është. Është kundërshtar i fortë dhe rezultati ishte i drejtë për të dy ekipet edhe pse s’jemi të kënaqur.
Mund të them që ne, në momentin e golit që shënuam kaluam në 4-2-3-1. Pusi ishte në krahun e djathtë dhe mori më shumë përsipër, bëri një ndeshje të mirë, por me disa gjëra të vogla. Edhe prej dëshirës për të ndihmuar ekipin, mori përsipër më shumë se ç’duhej. Si Balaj si më i vjetri ashtu edhe më i riu, kanë të drejtën të marrin përsipër, të ndryshojnë rezultatin, të humbin topin. Përgjegjësia vetëm i forcon. Nuk kishim një ndërrim krahësh të shpejtë, edhe zbritja e Muratajt e linte Balajn vetëm dhe nuk kishte kush e suportonte. Edhe Murataj u mundua edhe pse është i dëmtuar, u mundua të bënte më të mirën. Partizani i vështirë për t’u çarë.
Partizani nuk mendoi të bënte presing, por për top të parë dhe të dytë. Aty duhet të rregullojmë ne pjesën tonë. Terreni ishte i rrëshqitshëm. Kjo krijoi edhe lojën e dueleve, për top të parë dhe të dytë. Të pathyeshëm në shtëpi, transferta me pak pikë? Deri diku është e vërtetë. Kemi marrë pikë me Egnatian që na barazoi në fund, me Partizanin, ekipe që të nxjerrin probleme. Duhet një marsh më shumë nëse duhet të fitojmë kampionatin prej të gjithëve, duke filluar nga ne, lojtarët, duhet një marsh”, tha Borshi.
