Vora dhe Tirana kanë barazuar ditën e sotme në ndeshjen e vlefshme për javën e 20-të të "Abissnet Superiore". Sfida e zhvilluar në stadiumin e Vorës, përfundoi me shifrat 1-1. Pas këtij dueli ka folur për “RTSH”, trajneri i bardhebluve, Ardian Nuhiu.
“Realisht në pjesën e parë ishim të kujdesshëm, por mendoj se ishte e barabartë nga të dyja skuadrat. I dhamë shumë fushë kundërshtarit dhe na vendosën pak në vështirësi, por ishte e barabartë sepse kishim të dyja nga 1 rast. Por në të dytën, ekipi im meritoi më shumë. Kishim mundësi të dyfishonim rezultatin. Megjithatë, erdhi ai gol dhe më pëlqeu fryma e grupit. Në futboll duhet edhe fati, pasi kishim dy shtylla. Por ndeshja u menaxhua mirë nga futbollistët.
Në pushim të ndeshjes, u kërkova futbollistëve që të mos lejojmë Vorën të mbajë topin dhe të jemi ne më agresivë. Ne detyruam kundërshtarin të gabojë dhe shkuam tek goli. Kërkova që Basilio të shkonte më në mes dhe Haxhiu në krah, të kishim një futbollist më shumë në mbrojtje. Por ai gabim, humbja e topi, edhe me pak fat ata na shënuan gol.
Në momentin që e shoh skuadrën duke krijuar raste apo të qarkullojë topin, gjithashtu Rafa dhe Patrik po lëviznin shumë mirë. E doja dhe Alvarez në fushë për shërbim të topave pasi kërkonim golin e qetësisë. Pas 1-1 po kërkonim me ngulm që të fitonim ndeshjen, prandaj nuk ndërhyra. Ndoshta më jep të drejtë, pasi kishim energji dhe skuadra po vraponte, por tek goli duhet të ishim pak më shumë agresivë.
Bylis, Vora dhe tashmë Flamurtari, finale… sa ju penalizon ndalesa e sotme? Kam besim tek grupi. Këto 2 pikë që lamë sot, do t’i rikuperojmë me skuadrat që janë në krye të tabelës. Besoj tek skuadra jonë dhe me kalimin e kohës futbollistët tonë do të gjejnë gjendjen më të mirë fizike. Po më pëlqen skuadra, si po lëvizim dhe si po shkojmë tek porta e kundërshtarit”, tha Nuhiu.
