
Partizani - Vllaznia është supersfida e javës së 19-të të Superiores që do të luhet ditën e premte në orën 17:00. Kjo përballje do të luhet në “Arenën e Demave” dhe që merr vëmendjen kryesore të tifozëve.
“Demat” vijnë në këtë përballje si ndjekës të shkodranëve, me kuqeblutë që bashkëkryesojnë me Dinamon me 1 pikë më shumë. “Demat” synojnë rikthimin te fitorja në kampionat dhe sfida mes tyre konsiderohet si një duel direkt për kreun e kampionatit.
“Të kuqtë” në kryeqytet nuk do ta kenë aspak të lehtë, pavarësisht se luajnë në shtëpinë e tyre, kjo pasi kanë përballë edhe Thomas Brdaric. Ky i fundit pa frikë mund të quhet si “tersi” i Partizanit, pasi “Demat” nuk ia kanë dalë të fitojnë asnjëherë përballë tij.
Në 9 takimet e zhvilluara mes tyre në të kaluarën, Thomas Brdaric ka arritur të marrë 4 fitore dhe 5 barazime. Në këtë mënyrë ekipi i Aleksander Veselinovic në “Arenën e Demave” do të luajë “all-in” për të thyer “tabunë” me Thomas Brdaric.