Zyrtari i Tiranës, Grent Halili ishte i ftuar në një lidhje drejtpërdrejtë me ‘Rubrikën Sportive’ të moderatores Albana Bejko në RTSH. Halili foli pas barazimit 1-1 përballë Egnatias ku preku çështjen e stadiumit dhe merkaton e bardhebluve.
“Ishte fat i keq që luajtëm sot në Durrës. Fat i keq që shtëpia jonë, Air Albania, ishte i zënë prej Kombëtares. Do të kthehemi pas ndeshjeve të Kombëtares. Ka ndikuar në rezultatet pasi edhe tifozët nuk i kemi patur të shumtë prej largësisë nga kryeqyteti. Me rikthimin në shtëpi do të jemi më të fortë.
Kemi bërë shumë ndryshime, klubi jonë ka nisur një cikël të ri. Më parë nuk kemi bërë shumë ndryshime, por pas sezonit të kaluar morëm vendimin që duhej nisur një cikël të ri. Nuk ishim të kënaqur me objektivat dhe disa njerëz në klubin tonë. Synimi ynë është që në vazhdimësi të mos kemi nevojë të bëjmë ndryshime të mëdha”, tha Halili.