Abissnet Superiore mbylli sfidat e fundit të javës së 28-të, ku spikatën një sërë rezultatesh surprizë. Kështu, Newsport.al ka përzgjedhur më të mirët duke nisur nga porta e deri në sulm, pasi të gjithë në një mënyrë ose tjetrën ndihmuan ekipin në arritjen e objektivave.
Më poshtë, ju njohim me 11-shen më të mirë të rreshtuar në 3-4-3, si dhe trajnerin fitues.
Mario Dajsinani (Egnatia)- Mban portën e paprekur përballë Vllaznisë duke qëndruar vigjilent ndaj çdo goditje drejt tij. I dhuron një pikë të vyer skuadrës në garën e hapur për titullin kampion, ku diferencat qëndrojnë në -2 nga kryesuesit.
Diar Halili (Tirana) – Mbrojtësi me origjinë nga Prishtina rezulton një "kockë" e fortë për sulmuesit e Bylis duke prishur çdo aksion drejt mbrojtjes bardheblu. Një trepikësh i çmuar për skuadrën, e cila krahas golit i falet dhe 22-vjeçarit.
Elmando Gjini (Vllaznia) – Gjiganti i mbrojtjes shkodrane paralizon kundërsulmet e lojtarëve të Egnatias duke mbajtur edhe në krahun tjetër portën e paprekur. Vendimtar në disa aksione duke shmangur golin.
Vasilios Zogos (Teuta) - Mbrojtësi grek i pakalueshëm nga lojtarët e Dinamos. Ndihmon të tijët të neutralizojnë çdo rast të rrezikshëm nga ekipi i Dajës dhe i jep Teutës së tij tri pikët.
Irgi Kasalla (Vora) – Anësori i vorakëve shërben asistin e golit të dytë të vendasve përballë Partizanit. Sfida mbyllet në barazim 2-2 dhe një meritë në këtë pikë ka dhe mesfushori krutan, i cili koleksionoi të katërtin këtë edicion.
Xhonatan Lajthia (Elbasani) – Dy golat e tij i mundësuan Elbasanit të Ivan Gvozdenovic marrjen e tri pikëve në transfertën e “tensioneve” me Flamurtarin. Lojtar kyç në formacion dhe vendimtar në rezultate.
Abass Ibrahim (Elbasani)- Mesfushori defensive ndikon në lojën mbrojtëse duke shmangur kundërsulmet. Precizioni i tij evitoi sulmet e koordinuara nga Flamurtari “kërcënues” dhe me meritë bën pjesë në formacion
Ardit Krymi (Vllaznia) – I pazëvendësueshëm në formacion në sektorin e mesfushës. I gatshëm për të kërcënuar portën kundërshtare por pa patur fatin me vete. I gjendur kudo në çdo cep të fushës dhe aty për të shfrytëzuar çdo mundësi.
Ergis Arifi (Teuta) – Lojtari që shënoi golin e vetëm të ndeshjes në pjesën e parë. Protagonist absolut.
Rowan Human (Partizani) – Mesfushori i avancuar ndihmon në marrjen e pikës duke u aktivizuar në çdo linjë për t’u shërbyer shokëve të skuadrës. Ndan një pjesë të meritës.
Serge Tabekou (Tirana) – Shënoi në pjesën e dytë për Tiranën në fitoren ndaj Bylis. Prania e tij e pashmangshme në vijën e sulmit.
Enkeleid Dobi (Teuta) – Me një skemë pragmatiste duke shfrytëzuar një gol të vetëm në pjesën e parë, Dobi merr pikët me vete dhe çmimin e trajnerit fitues të javës.
