Dinamo fitoi përballë Tiranës në ndeshjen e vlefshme për javën e 14-t të Superiores. Sfida e zhvilluar në stadiumin “Air Albania”, përfundoi 6-2. Pas këtij dueli foli edhe “Lojtari i Ndeshjes”, Dejvi Bregu. Sulmuesi vlonjat shënoi 2 gola dhe asistoi në një tjetër.
“Ku ishte kjo Dinamo? Të gjithë do të na pëlqente që këto gola t’i shpërndanim, në ndeshjet që s’kemi shënuar. Por futbolli i ka këto faza, shpresoj që me këtë fitore të kemi vazhdimësi të mirë. Reflektimi është që të jesh gjithë kohës... kemi pasur raste në ndeshjet e kaluara. Sot ishim shumë efektivë, kemi për detyrë që të vazhdojmë punën në ndeshjet e tjera.
E keni ngritur stekën? S’na lejohen gabimet, ekipi ynë është ndërtuar për kampion, i kemi cilësitë. Brenda grupit e dimë që në disa raste kemi gabuar. Steka duhet mbajtur ngritur lart, kemi të gjitha cilësitë dhe grupin e konsoliduar për të synuar për lart.
Ishte ekipi i Tiranës dobët apo ishin ju në ditën super? Ndoshta është në të dyja këndvështrimet, s’di ta them. Besoj se ne u futëm me ritmin e duhur të ndeshjesh dhe s’i lamë mundësi kundërshtarit që të na sulmonte, shfrytëzuam rastet në maksimum.
Nuk shënova hat-trick? Tani kush s’do të donte të bënte 3 gola. Por këto golat t’i kishim shpërndarë në ndeshjet e tjera do të ishte shumë më mirë”, tha Dejvi Bregu.
