
Ndarja nga jeta e Sabah Bizit ka tronditur mbarë opinionin sportiv. Legjenda e Kombëtares mbylli sytë përgjithmonë në moshën 79-vjeçare.
I quajtur edhe “Nder i Kombit”, ka fituar një sërë titujsh dhe Kupa me fanellën e Vllaznisë dhe Partizanit, ndërsa në futbollin shqiptar ka debutuar që në moshën 17-vjeçare. Për ndarjen nga jeta të Bizit ka reaguar Armand Duka.
Kreu i FSHF-së ka shprehur ngushëllime familjarëve. Duka shkruan se Bizi ka gjurmë të pashlyeshme në historinë e sportit tonë dhe fitoi zemrat e të gjithëve.
“Me hidhërim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të legjendës së futbollit shqiptar, Sabah Bizi, një emër i madh që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e sportit tonë.
Si një ndër ikonat e Vllaznisë dhe Kombëtares shqiptare, ai debutoi në futbollin shqiptar në moshë të re dhe u bë simbol i talentit dhe përkushtimit. Përballja e tij me Franz Beckenbauer në ndeshjen historike kundër Gjermanisë në vitin 1967, ndonëse ai ishte vetëm 19 vjeç, është dëshmi e madhështisë së tij në fushën e blertë.
Gjatë karrierës së tij të shkëlqyer, Sabah Bizi fitoi tituj kampionë dhe kupa, duke i dhënë futbollit shqiptar momente krenarie dhe emocionuese. Edhe pas lënies së futbollit aktiv, ai i qëndroi pranë sportit të zemrës, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillimin e brezave të rinj si trajner dhe drejtues.
Në emër të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe të gjithë komunitetit të futbollit, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Bizi, të afërmve dhe miqve të tij. Futbolli shqiptar humbi një legjendë të vërtetë, por trashëgimia e tij do të mbetet përjetë frymëzim për brezat e ardhshëm.
Pusho në paqe legjendë!”, shkruhet në postimin e Dukës.