
Emocionet në “Air Albania” nuk kanë fund. Një nga mbrëmjet më të paharrueshme mund të konsiderohet për Ardit Koçin. Tifozi me aftësi ndryshe ndoqi nga afër finalen e Kupës së Shqipërisë mes Egnatias dhe Kukësit.
Njihet si një nga tifozët më të “zjarrtë” të Besës së Kavajës, i cili realizoi ‘ëndrrën’ e tij, duke ngritur në “qiell” një trofe. Në mungesë të fitimit të një trofeu me skuadrën së tij të zemrës, Besën, ekipi i Egnatias ia “bëri” të mundur diçka të tillë.
Ishin pjesëtarët e stafit të rrogozhinasve që nuk u kursyen aspak për të kënaqur Koçin. I gjendur në mes të fushës së blertë të arenës kombëtare, fytyra i shkëlqente nga buzëqeshja, teksa në duar mbante Kupën e Shqipërisë. Kaq mjaftoi që një moment si ky të “ngulitet” thellë në memorien e tij.