
Kombëtarja U21 e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës u përballën në 15 tetor për ndeshjet kualifikuese në "Elbasan Arena". Skuadra e Alban Bushit arriti të dilte me tri pikë, pas një fitoreje 2-1. Ashtu si përpara ndeshjes, diskutimet ishin thumbuese përsa i përket talenteve që tanimë duhet të zgjedhin mes shqiptarësh. Fitorja dhe loja e pëlqyeshme në këtë sfidë, bënë që djelmoshat e Shqipërisë të festonin si të "çmendur" për tre pikët e fitores. Kjo duket se nuk i ka pëlqyer "vëllezërve" nga Kosova, që e kanë cilësuar si të tepërt.
Trajneri Alban Bushi i Shqipërisë ka treguar se nëse në ekipin kosovar nuk do të luante Lirim Kastrati, miqtë e Prekazit as që do i afroheshin zonës kuqezi. Kaq ka mjaftuar që trajneri kosovar të reagonte në një emision sportiv duke thumbuar kuqezinjtë për festën dhe duke shtuar se nuk merrej me komentimin e gjërave që thotë Bushi; duke nënkuptuar se secili duhet të shohë pozicionin përkatës. Te panelistët kjo ka shkaktuar një moment humori, që është kaluar me sportivitet.