
I afruar në merkaton e janarit nga skuadra e Luftëtarit, Eduart Rroca beson se do të ketë një rol si protagonist te Kukësi. Edhe pse konkurrenca është e madhe pasi me rikthimin e Musollit nga dëmtimi të dy do të luftojnë për një fanel titullari. Ish-mesfushori i Luftëtari në një prononcim për "RTSH Sport" foli për disa tema të ndryshme dhe tregon arsyen se pse vendosi t'i bashkohej skuadrës kukësiane si dhe për rivalitetin me Musollin.
"Kemi bërë shumë mirë dhe kemi shmangur dëmtimet, përveç Malokut që ishte i pafat. Kemi bërë stërvitje të mira dhe kemi bërë ndeshje miqësore shumë cilësore. Besoj se jemi gati për startin e kampionatit. Kam ardhur te Kukësi për titullin kampion dhe më gëzon fakti që këtu kanë besim te mua. Jam këtu për të dhënë maksimumin dhe të arrijmë te objektivat.
Sezoni do të jetë shumë i vështirë, pasi objektivat për skuadrat janë ndarë dhe të gjitha duan pikët e tyre. Do të jetë shumë vështirë që të arrijmë te titulli, por besoj se do t'ia dalim. Musolli nuk është larguar, është ende pjesë e Kukësit. Gjithsesi, unë luaj si sulmues i dytë, por dhe nëse trajneri më aktivizon para mbrojtjes, nuk do e kem problem. Mjafton të luaj dhe të jem i rëndësishëm",- u shpreh Rroca.