
Klubi shqiptar i Shkupit në Maqedoni konfirmoi me anë të një komunikate për shtyp se trajneri i tij Umit Karan do të vazhdojë detyrën, pavarësisht se është dënuar nga një gjykatë në Turqi për ngacmim seksual me 1 vit e 8 muaj burg.
Shkupi konfirmoi se do të presë një vendim të dytë të gjykatës turke për fatin e 42-vjeçarit. Ai pretendon se është dënuar për shkak të bindjeve politike si pro-qemalist (CHP) parti nacionaliste turke, kundërshtare e partisë në pushtet AKP të presidentit Erdogan.
"Lidhur me lajmet që tani më disa ditë po sillen nëpër mediat e ndryshme vendore, ashtu edhe të huaja, ne si klub ende nuk kemi marrë një vendim përfundimtar. Pikërisht kjo situatë në të cilën është trajneri i klubit tonë (Umit Karan), më parë ka qenë e pastruar nga gjykata turke dhe ai ka marrë postin e kreut të trajnerit të parë të klubit tonë. Deri sa ende nuk ka vendim të prerë për të kryer ndonjë dënim me burg, ai do të mbetet të jetë trajner", shkruhet në komunikatën për shtyp.
Ai drejton skuadrën e Shkupit që prej tetorit të vitit 2018.