
Trajneri Ilir Daja ka folur për Supersport mbi “ditët turke” të Skënderbeut, kontingjentin që ka në ekip dhe mbi të gjitha për repartin e sulmit, më i kritikuari te korçarët gjatë pjesës së parë të sezonit.
“Duke i nisur nga fakti që gjatë qëndrimit në Antalia vetëm dje kemi bërë një seancë stërvitore, ndërkohë që kemi bërë dy ndeshje për dy ditë, çka ka bërë që lojtarët t’i kenë muskujt e ngarkuar.
Ajo që më pëlqeu ishte se në raport me kundërshtarin nuk kishim probleme fizike. Kemi pasur disa probleme taktike, me treshen e qendrës, sepse nuk koordinoheshin në mënyrën e duhur për të bërë presingun lart.
Gjithsesi kemi kohën e duhur për të rregulluar ato gabime. Përmirësimi i gjendjes fizike të Salihit do t’i jepte më shumë thellësi të skuadrës. Besoj se jemi në rrugën e duhur”.
Tekniku bardhekuq flet edhe për aktivizimin e Xhejms, por edhe për Reza Karimin, i cili luan në të njëjtin pozicion me nigerianin, por duhet punuar me të që të luajë në funksion të skuadrës.
“Një element tjetër i rëndësishëm është që të marr informacion për çdo lojtar, në situata të ndryshme. Edhe nëse nuk e niste nga fillimi, Xhejms do të aktivizohej në pjesën e dytë.
Problemi për momentin është që lojtari Karim që zëvendëson Xhejmsin akoma nuk ka një koordinim të mirë, një kolaudim të mirë me veprimet e ekipit. Do na duhet një punë e mirë individuale që ta fusim atë në funksion të grupit.
Kemi lojtarë për ta zëvendësuar Xhejsmin nëse shitet. Klubi aktualisht po kërkon për dy sulmues. Shoh të rëndësishme që të gjithë lojtarët që luajnë të japin më të mirën e tyre, në mënyrë që unë të marr informacione për ta”, deklaroi trajneri Ilir Daja për Supersport.