
Elvis Kabashi i transferuar në Rumani te skuadra e Dinamos së Bukureshti aty ku luan dhe mbrojtësi i Kombëtares Naser Alij. Në një intervistë për "Digisport", Kabashi rikthehet të flasë për kombëtaren shqiptare si dhe shprehet hapur se kërkon të rikthehet të mbrojtë ngjyrat kuqezi. I pyetur në gazetari nëse dëshiron të luajë me Alijin edhe te Shqipëria, Kabashi përgjigjet:
"Me Alijin kuptohemi shumë mirë dhe kemi një marrëdhënie shoqërore dhe jashtë fushe. Është mirë të jesh në një ekip me një shqiptar tjetër. Shpresoj, sepse ka patur disa keqkuptime sa i përket grumbullimit tim me Kombëtaren. Është folur për një letër që unë kam shkruar, por nuk është e vërtetë, sepse letrën e pati shkruar ish-menaxheri im, me të cilin kam disa gjyqe të hapura. Ajo letër më pozicionoi kundër kombëtares, sepse, nëse unë nuk do të doja të luaja me Shqipërinë nuk do të luaja as me 19-vjeçarët në eliminatoret e Europianit.
Prindërit e mi janë Shqiptarë, unë kam lindur në Itali, por gjaku im është ai i një shqiptari, ndaj nuk ka arsye pse ta refuzoj Kombëtaren e Shqipërisë. Gjithë këtë rrëmujë e ka shkaktuar ish-menaxheri, i cili nuk donte që të luaja me Kombëtaren, por të përqendrohesha vetëm tek Juventusi. Njerëzit kanë të drejtë të më gjykojnë, pasi nuk e dinin të vërtetën, ndërsa unë nuk kam folur më parë për këtë letër, sepse nuk kam shkruar asgjë dhe në ndërgjegjen time jam i qetë."
"Ndoshta duhet të isha kundërpërgjigjur, por m'u duk sikur do t'i hidhja benzinë zjarrit. Tani është në dorën time të tregoj se sa e rëndësishme është Kombëtarja për mua. Shpresoj të grumbullohem, pasi është një krenari të mbrosh ngjyrat e vendit tënd. Do të përpiqem të stërvitem e të punoj sa më shumë për t'u rikthyer në Kombëtare."