Arinaldo Rrapaj është zyrtarisht ‘Topi i Artë’ për vitin 2023. Mesfushori i Partizanit u shpall futbollisti më i mirë në mbrëmjen gala të FSHF-së dhe gëzimi është i madh si për të, ashtu dhe për Partizanin.
Ky çmim padyshim që i ngre akoma më shumë vlerën e talentit në merkato dhe të kuqtë ‘fërkojnë’ duart për një tjetër shitje rekord pas Xhuliano Skukës. Vetë trajneri Abilaliaj zbulon se shumë klube të mëdha europiane kanë në shënjestër vlonjatin e talentuar.
“Jam krenar për Rrapajn pasi ka sakrifikuar shumë për të arritur në këto nivele. Është një djalë që punon prej vitesh përulësisht për këtë nivel. Ne presim më shumë nga ai. Pas disa vitesh në këtë klub mund të themi që Rrapaj ka konsoliduar një nivel të luajturi. Nëse gjen qëndrueshmëri do të jetë shumë mirë për të dhe për këtë arsye është nën ‘lupën’ e shumë klubeve të mëdha europiane”, tha Abilaliaj në konferencë.
Aktualisht, vlera e Rrapajt në Transfermarkt është 600 mijë euro, më e larta në Superiore, por në përditësimin e ri pritet të rritet akoma më shumë. Partizani është në pritje të ofertave zyrtare dhe drejtuesit e kuq nuk kanë ndërmend të ulen në tryezë për shifra të ulëta duke qenë se ka edhe 2 vite të tjera në kontratë.