
Ndeshja e basketbollit mes Tiranës dhe Besëlidhjen, padyshim ka lënë shije të hidhur tek sportdashësit shqiptarë. Bardheblutë u skualifikuan për shkak të veprimit të Deborah Keçit, e cila i vuri në kokë një fanelë arbitrit. Drejtoreshën e Tiranës nuk e mbajtën nervat për mënyrën se si po vendosej drejtësi në këtë finale të dytë për titullin kampion. Po kush ishin gjyqtarët që gjykuan atë takim?
Newsport.al është interesuar pranë Federatës Shqiptare të Basketbollit dhe ka mësuar se Fatjon Malevi, Ervin Koçi dhe Gilbert Hoxha ishin caktuar për të qenë arbitra në atë sfidë të rëndësishme. Kryeqytetasit kanë pasur shumë pretendime. Kaq ka mjaftuar dhe drejtorja ekzekutive e shumësportësishit, Deborah Keçi sulmoi gjyqtarin, që mësohet se ka qenë Fatjon Malevi. Ky i fundit ndërpreu menjëherë takimin duke skualifikuar bardheblutë nga finalja.
Tanimë pritet se cili do të jetë vendimi i Disiplinës pranë Federatës Shqiptare të Basketbollit për ngjarjen e ndodhur të shtunën në pallatin e sportit “Feti Borova”.