Dinamo ka fituar në shtëpi përballë Egnatias, në ndeshjen e vlefshme për javën e 34-t të “Abissnet Superiore”. Sfida e zhvilluar në stadiumin “Air Albania”, përfundoi me shifrat 2-0. Pas këtij dueli ka folur trajneri i portierëve të rrogozhinasve, Taulant Guma.
“Mendoj që skuadra, ndoshta nuk e ka marrë mirë pjesën e informacionit të largimit të parakohshëm të trajnerit. Normalisht, çdo skuadër që di diçka që drejtuesi i skuadrës largohet, normalisht lojtarët pa e kuptuar, vetë nga brenda, ndoshta plezmatohen dhe nuk janë në pozitat e duhura. Nuk ka ndikuar vetëm te lojtarët, por edhe tek ne të tjerët.
Duhet të reagojmë, nuk i bën mirë askujt, sidomos skuadrës. Skuadra është me karakter, të paktën në këto 4 vite, kemi ditur të reagojmë. Kjo e sotshmja ishte sinjal për skuadrën, duke parë te vetvetja, që ka diçka për të reaguar.
Lojtarët janë të pjekur, kanë fituar trofe, kanë derdhur djersë, duhet të reagojnë në mënyrën e duhur. Situata si erdhi goli i parë, më pas erdhi i dytë, menduam që të ndryshonim. Nga 3-5-2, kaluam 4-2-3-1 dhe 4-3-3. U përpoqëm që të vendosnim skuadrën të reagonte, gjë të cilën e bëri shumë mirë”, tha Guma.
