
Milan është në ndërtim e sipër dhe drejtuesit e klubit kuqezi, Maldini e Boban janë gjithmonë në vëzhgim të talenteve dhe lojtarëve me prespektivë. Në media para pak ditësh u përhap lajmi për interesimin mbi mbrojtësin Jean Clair Todibo, 20 vjeçari i cili aktivizohet tek Barcelona. Mbrojtësi i ri është në listën e Milanit, por jo në krye të saj, pasi objektivi kryesor për kuqezinjtë ngelet Demiral i Juventus.
Megjithatë përsa kohë Demiral nuk jep shenja për lagimin nga Juventus, drejtuesit e Milanit kontaktuan mbrojtësin e talentuar i cili tashmë i ka thënë "po" transferimit të tij në Itali. Tashmë të dy shoqëritë e futbollit kanë nisur kontaktet me njëra-tjetrën për të kuptuar sesa e realizueshme mund të jetë ky transferim. Kërkesa e Barcelonës pritet të jetë, për ta lëshuar lojtarin në huazim, por Milani nuk pranon më të rrisë futbollist të skuadrave të tjera dhe opsioni i tyre është blerja e kartonit. Vlera e Todibo shkon jo më pak se 20-25 milion euro.