Myrto Uzuni nuk di të ndalet në kampionatin amerikan, aty ka ndihmuar Austin FC të marrë një pikë të rëndësishme në ndeshjen në transfertë përballë Minnesota United, përfunduar në shifrat 2-2.
Sulmuesi shqiptar u bë protagonist për të dytën herë radhazi, këtë herë duke shënuar golin e parë të takimit në minutën e 14-të të pjesë së parë. Beratasi nuk gaboi nga pika e bardhë e penalltisë, duke lënë të pashpresë portierin Callender, gol që solli dhe avantazhin e miqve.
Pas përfundimit të sfidës, klubi ka publikuar dhe videon e golit të Uzunit, duke i shtuar përshkrimin: "I ftohtë siç ty të pëlqen, Myrto", të cilin e shoqëron me “emojit” me simbolet e luanit dhe kurorës.
Në këtë edicion të MLS-së, 30-vjeçari në 12 ndeshjet e zhvilluara mes kampionatit dhe kupës ka shënuar 5 gola dhe ka dhuruar një asist.
