Rey Manaj me shumë gjasa do të largohet nga Sharjah FC, ku luan në kampionatin arab. Sulmuesi shqiptar kërkon të mbyllë aventurën e tij me skuadrën aktuale, teksa sipas mediave turke mësohet se synon transferimin në Turqi.
Për lushnjarin do të ishte një rikthim në një nga kampionatet që e njeh mjaft mirë. Saktësisht bëhet fjalë për ekipin e Sivasspor, me të cilën shkëlqeu para se të kalonte në Arabi. Është vetë sulmuesi i Kombëtares që kërkon rikthimin te ish-skuadra dhe diçka të tilla ia ka bërë të ditur edhe menaxherit të tij.
Ky i fundit ka nisur kontaktet kështu me skuadrën turke për të bërë të mundur një rikthim. Siç dihet Manaj u largua nga Sivasspor në verën e kaluar dhe pas 6 muajsh kërkon sërish rikthimin. Me turqit luajti në 60 ndeshje dhe ia doli të shënonte 30 gola.
Ndërkohë deri më tani me skuadrën arabe ka luajtur në 16 ndeshje dhe ka gjetur rrugën e rrjetës 6 herë. Vlen të theksohet se me Sharjah FC ka kontratë të vlefshme deri në qershor të 2027 dhe mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë në ditët në vazhdim.
