Sikur të mos mjaftojnë minutat e pakta që po merr te Burnley këtë sezon, Armando Brojën po e përndjek momenti i keq edhe jashtë fushave të lojës.
Bëhet fjalë për një postim në Facebook nga faqja e njohur angleze, SPORTbible, që ka renditur 10 nënshkrimet më të këqija të bëra gjatë sezonit 2025-26 në Premier League, e ku bie në sy emri i sulmuesit të Kombëtares shqiptare i cili mban vendin e 6-të.
Sipas tyre, shkodrani nuk i ka përmbushur pritshmëritë as me lëvizjen e tij të bërë në këtë klub, pasi u largua nga Chelsea. Edhe pse 24-vjeçari mund të justifikohet nga prezenca e dëmtimeve, gjithsesi nuk e ka shmangur pjesëmarrjen e tij në këtë "listë të zezë", çfarë konfirmon se është akoma në hije.
Vendin e parë e mban transferimi rekord i Liverpool që bleu Alexander Isak nga Newcastle United për 145 milionë euro verën e kaluar. Top 10-shen e përmbyll Conor Gallagher i cili la Atleticon për Tottenham, skuadër e cila rrezikon seriozisht qëndrimin në Angli.
