Gjatë muajit janar u zhvillua sezoni i dytë i testeve të vlerësimit të Elite Youth Academy për grupmoshat 2010, 2011 dhe 2012, duke konfirmuar progresin e vazhdueshëm të këtij projekti të rëndësishëm zhvillimi.
Pas testeve të para të realizuara në muajin shtator, ky sesion shërbeu për të analizuar punën e kryer dhe për të monitoruar performancën e lojtarëve gjatë këtyre muajve stërvitje. Rezultatet ishin inkurajuese, me përmirësime të dukshme në parametra kyç për futbollin modern dhe për këtë moshë zhvillimi, si shpejtësia, qëndrueshmëria, forca, si edhe testet funksionale, elementë thelbësorë për planifikimin dhe optimizimin e procesit stërvitor.
Elite Youth Academy vijon të punojë sipas një programi të strukturuar dhe afatgjatë, duke garantuar monitorim të vazhdueshëm të zhvillimit të lojtarëve. Një tjetër sesion vlerësimi është planifikuar pas dy muajsh, me synimin për të evidentuar progresin e mëtejshëm dhe për të mbështetur rritjen individuale të çdo futbollisti.
Ndërkohë, puna në Elite Youth Academy vijon rregullisht me seanca stërvitore javore, të fokusuara në përgatitjen teknike, taktike dhe fizike të lojtarëve. Stafi teknik vazhdon të punojë intensivisht për zhvillimin e talenteve të reja, në përputhje me standardet e përcaktuara nga Federata e Futbollit.
