
Një tentativë grabitjeje ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në vilën e futbollistit Marko Arnautoviç, e cila ndodhet në një zonë rezidenciale të via delle Ginestre, në Cantu.
Sipas mediave të huaja, ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:00, kur dy persona kanë hyrë me forcë në banesë, pa qenë në dijeni se ajo ruhej nga dy roje sigurie.
Situata kaloi në një përleshje të dhunshme, gjatë së cilës një nga rojet është goditur në kokë, dyshohet me një mjet të fortë, ndoshta një shkop.
Fatmirësisht, në momentin e ngjarjes Arnautoviç dhe familja e tij nuk ndodheshin në shtëpi.
Në rezidencë ndodheshin dy kujdestarë, një çift me kombësi filipinase të cilët pas ngjarjes, janë mbyllur brenda dhe kanë lajmëruar menjëherë policinë.
Grabitësit arritën të largohen nga vendngjarja para se të mbërrinte policia.