
Kombëtarja shqiptare U-19 e vajzave barazoi 2-2 në ndeshjen e parë miqësore ndaj Rumanisë, e zhvilluar në stadiumin “Skënderbeu” në Korçë.
Sfida ishte e luftuar nga të dyja skuadrat, ndërsa për Shqipërinë shënuan Adela Qose dhe Amra Isejni.
Trajnerja Luçije Gjini e nisi ndeshjen me këtë formacion titullar: Hanna Helshani, Sara Mustafa, Herta Hasaj, Angela Nika, Gelda Kadiolli, Xhesika Ndoj, Amra Isejni, Klesta Ago, Bora Bushati, Adela Qose dhe Tringa Nuha.
Rumania kaloi e para në avantazh në minutën e 30-të me golin e Fulop Borlarka, rezultat me të cilin u mbyll edhe pjesa e parë.
Në pjesën e dytë, Shqipëria reagoi menjëherë. Adela Qose barazoi rezultatin në minutën e 47-të, ndërsa Amra Isejni realizoi golin e dytë në minutën e 68-të, duke përmbysur gjithçka në 2-1.
Megjithatë, në minutën e 82-të Rumania barazoi rezultatin me golin e Petrisor Elena dhe ndeshja përfundoi në shifrat 2-2.
Ndeshja e dytë miqësore Shqipëri – Rumani do të zhvillohet më 2 qershor, në orën 10:30, sërish në stadiumin “Skënderbeu”.