
Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s ditën e sotme ka mbërritur në Tiranë. Një moment tepër i rëndësishëm për futbollin shqiptar ky, pasi drejtuesit më të lartë të futbollit europian do të zhvillojnë mbledhje në vendin tonë.
Shefi i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në FSHF, Tedi Agalliu ka dhënë një intervistë për “TV Klan” për këtë ngjarje.
“Është një moment historik për futbollin shqiptar. Për herë të parë Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s zhvillon mbledhjen e tij në Tiranë dhe kjo tregon qartë se Federata e Futbollit dhe Shqipëria janë bërë një partner i besueshëm i futbollit europian. Ky është një vlerësim për punën tonë dhe një mundësi e madhe për të promovuar vendin tonë.
Kjo mbledhje do të forcojë më tej pozicionin e Shqipërisë në hartën e futbollit europian dhe të shërbejë si një vitrinë e kapaciteteve tona organizative. Nga pikëpamja sportive, është një mundësi për të thelluar bashkëpunimin me UEFA-n dhe për të avancuar projektet tona zhvillimore, veçanërisht në infrastrukturë dhe futbollin e bazës. Nga pikëpamja e imazhit ndërkombëtar, është një rast i jashtëzakonshëm për të promovuar Shqipërinë si një destinacion serioz dhe të besueshëm për aktivitete ndërkombëtare sportive.
Axhenda e mbledhjes në Tiranë përfshin caktimin e vendeve pritëse për finalet më të mëdha të UEFA-s – Champions League, Ëomen’s Champions League, Futsal Champions League dhe turnetë europianë të moshave, si dhe miratimin e rregulloreve të reja për kompeticionet. Si anëtare e UEFA-s, çdo vendim që merret për zhvillimin e futbollit reflektohet edhe tek ne: në fondet e programeve HatTrick, në grantet e solidaritetit dhe në mundësinë për të qenë vendpritës i aktiviteteve ndërkombëtare. Vetë fakti që mbledhja po mbahet në Tiranë është një përfitim i drejtpërdrejtë për reputacionin tonë.
“Kjo mbledhje tregon se Shqipëria është e aftë të presë ngjarje të nivelit më të lartë. Ne kemi përgatitur një program të plotë, duke filluar që nga festivali i futbollit për fëmijë në ‘Shtëpinë e Futbollit’, ku do të jenë të pranishëm Presidenti i UEFA-s, Aleksander Čeferin, Presidenti i FSHF, Armand Duka, anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, ambasadorët e futbollit europian Luís Figo dhe Aljoša Asanović, ambasadorët e futbollit shqiptar Jahmir Hyka dhe Valbona Selimllari, deri tek mbledhja zyrtare e Komitetit Ekzekutiv. Kjo na jep eksperiencë praktike në mikpritjen e ngjarjeve ndërkombëtare, rrit standardet tona organizative dhe forcon reputacionin e Shqipërisë si një destinacion i besueshëm për futbollin europian”, u shpreh Agalliu.