
Shoqata Rajonale e Futbollit Elbasan (SHRFE) mbajti sot punimet e Asamblesë së Përgjithshme, një moment kyç për zhvillimin e futbollit në këtë rajon. Në takim morën pjesë 20 anëtarë të shoqatës, të përfaqësuar nga 24 delegatë, të cilët diskutuan dhe miratuan çështjet kryesore të rendit të ditës.
Në fokus të Asamblesë së sotme vjetore të SHRF Elbasan ishin: Raporti i aktivitetit të shoqatës, miratimi i pasqyrave financiare dhe miratimi i buxhetit për vitin 2025, zgjedhja e delegatëve për Asamblenë e Përgjithshme të FSHF-së, pranimi i anëtarëve të rinj me të drejta të plota dhe miratimi i emblemës së re të SHRFE.
Në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Shoqatës Rajonale të Futbollit Elbasan ishte i pranishëm edhe anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Abdyl Kuriu, i cili në fjalën e tij përshëndetëse nënvizoi se qeveria e futbollit do të vazhdojë të mbështesë të gjithë futbollistët e këtij rajoni përmes projekteve të ndryshme.
“Në emër të FSHF-së ju siguroj që ne do të jemi gjithmonë krah jush për të çuar përpara futbollin përmes projekteve të ndryshme, që nga “Topi Yt”, te projekti “Uniforma Ime”, falë të cilave, qindra fëmijë i bashkohen futbollit çdo vit në vendin tonë. Shoqata Rajonale duhet të vazhdojë angazhimin për gjetjen e sponsorëve lokalë dhe të punojë në mënyrë konstruktive për të ndërtuar një të ardhme të ndritur për futbollin shqiptar. Falë punës dhe përkushtimit të vazhdueshëm, Elbasani është qyteti që gëzon praninë më të madhe të tifozëve të apasionuar pas futbollit, duke dëshmuar dashurinë dhe mbështetjen e pandërprerë për këtë sport”, – tha anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Abdyl Kuriu.
Kryetari i SHRFE, Ilirjan File, falënderoi anëtarët për angazhimin e tyre gjatë vitit 2024, duke theksuar se gjatë këtij viti janë regjistruar 1652 futbollistë dhe 109 ekipe, përfshirë 16 ekipe vajzash.
Gjatë punimeve, delegatët votuan dhe konfirmuan përfaqësuesit e SHRFE në Asamblenë e Përgjithshme të FSHF-së: Ilirjan File, Marenglen Çoku dhe Andi Bibo. Gjithashtu,anëtarët votuan pro për të miratuar emblemën e re të SHRF Elbasan.
Shoqatës Rajonale të Futbollit Elbasan iu shtuan edhe dy anëtarë të rinj me të drejta të plota: A & S Sports dhe Kalami Sport.