Shoqata Rajonale e Futbollit Durrës zhvilloi këtë të premte punimet e Asamblesë së Përgjithshme Zgjedhore, ku morën pjesë 27 anëtarë të shoqatës, të përfaqësuar nga 36 delegatë.
Kjo Asamble ishte parashikuar të zhvillohej ditën e martë, por për shkak të përmbytjeve që përfshinë qytetin e Durrësit, Asambleja u shty për ditën e sotme.
Në Asamblenë e zhvilluar në Durrës, u shqyrtua raporti i aktivitetit përgjatë vitit 2025, u njohën me arritjet e problematikat në vitin e kaluar si edhe u miratuan pasqyrat financiare dhe buxhetin e vitit 2026.
Një nga pikat më të rëndësishme në rendin e ditës ishte zgjedhja e kryetarit të SHRF Durrës për 4-vjeçarin e ardhshëm. Organi përgjegjës për organizimin e procesit zgjedhor që është Komisioni i Verifikimit deklaroi se i është paraqitur vetëm një kandidaturë për Kryetar, konkretisht kërkesa për rikandidim nga z. Mikel Furxhi, i propozuar nga 26 anëtarë të shoqatës.
Asambleja e Përgjithshme Zgjedhore e Shoqatës Rajonale të Futbollit Durrës, me unanimitet të plotë, vendosi të zgjedhë Kryetar të SHRF Durrës z. Mikel Furxhi me mandat 4 (katër) vjeçar.
Në fjalën e tij pas rizgjedhjes, Kryetari i SHRF Durrës, Mike Furxhi, i falënderoi të gjithë për besimin dhe mbështetjen, duke theksuar se do të vazhdojë të punojë për zhvillimin e futbollit në këtë qytet.
“Dua, para së gjithash, t’ju shpreh falënderimin tim më të sinqertë dhe mirënjohjen e thellë për besimin që më keni dhënë sot, duke më rizgjedhur Kryetar të Shoqatës Rajonale të Futbollit Durrës për një mandat tjetër katërvjeçar.
Kjo rizgjedhje për mua përfaqëson një nder të madh, por mbi të gjitha një përgjegjësi të shtuar. Është një detyrim moral dhe institucional për të vazhduar punën me të njëjtin seriozitet, korrektësi dhe përkushtim, duke pasur gjithmonë në qendër interesin e klubeve, sportistëve, trajnerëve, gjyqtarëve dhe gjithë komunitetit futbollistik të Durrësit.
Gjatë mandatit të kaluar kemi kaluar sfida jo të lehta, por kemi dëshmuar se me bashkëpunim, dialog dhe vullnet të mirë mund të ndërtojmë struktura më të forta dhe më funksionale. Kemi hedhur baza të rëndësishme për organizimin e garave, për mbështetjen e klubeve dhe për krijimin e një mjedisi më të drejtë dhe më transparent për zhvillimin e futbollit rajonal.
Mandati i ri që nis sot do të jetë një vazhdimësi e kësaj pune, por edhe një hap i mëtejshëm përpara. Prioritetet tona do të mbeten të qarta: forcimi i Shoqatës si institucion, rritja e bashkëpunimit me Federatën Shqiptare të Futbollit, mbështetja konkrete e klubeve dhe akademive, si dhe krijimi i kushteve sa më të mira për zhvillimin e futbollit të moshave, që përbën themelin e së ardhmes së sportit tonë”, – tha Mikel Furxhi në fjalën e tij.
Përveç kryetarit, u zgjodhën edhe delegatët që do të përfaqësojnë SHRFD në Asamblenë e Përgjithshme Zgjedhore të FSHF-së, që janë kryetari i SHRFD, Mikel Furxhi dhe Agron Kërcova e Rivelino Feimi.
Në rendin e ditës ishin edhe propozimet për kandidatë për President të FSHF-së dhe për anëtarë të Komitetit Ekzekutiv. Anëtarët e shoqatës propozuan si kandidat z. Armand Duka për postin e Presidentit të FSHF-së, që u votua nga të 36-të anëtarët e shoqatës gjatë punimeve të asamblesë.
Ndërsa, si kandidat për anëtar të Komitetit Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Futbollit, anëtarët e SHRF Durrës votuan për z. Edmond Hasanbelli, ish-presidenti i ekipit të Teutës.
