
Sektori i Arbitrimit në FSHF po zhvillon një seminar 3-ditor për zyrtarët e kampionatit “Abissnet Superiore” dhe Kategorisë së Parë, në kuadër të fillimit të sezonit të ri futbollistik 2025/26, cili fillon të premten.
Më herët, arbitrat kanë mbyllur me sukses testet fizike, ndërsa seminari u fokusua në trajtimin e situatave të ndryshme të lojës dhe interpretimet e sakta të rregulloreve.
Në këtë seminar ishin të ftuar dy instruktorë të UEFA-s Costa Kapitanis dhe Bekim Zogaj.
Costas Kapitanis dha një prononcim për fshf.org, ku theksoi progresin e bërë në kuadër të infrastrukturës së qendrës VAR dhe shpjegoi rëndësinë e seminarit 3-ditor.
“Pikë së pari, dua të falënderoj Federatën Shqiptare të Futbollit për ftesën, për të qenë pjesë e këtij seminari elitar të gjyqtarëve dhe vëzhguesve këtu në Shqipëri. Është kënaqësi e madhe të jem këtu. Unë punoj afër me Shqipërinë, pasi jam anëtar i Konventës së Arbitrave dhe Shqipëria është një nga vendet që ndjek. Është shumë interesante të jem këtu, 3 vitet e fundit kam qenë 3 herë dhe shoh progres shumë të madh në arbitrimin e djemve dhe vajzave, gjë që reflektohet në takimet dhe përfaqësimet e Shqipërisë jashtë.
U impresionova nga videoja promocionale “Bëhu arbitër” në shqip, një motivim i madh për të frymëzuar të rinjtë për t’u përfshirë në botën e arbitrimit, pasi momentalisht na mungojnë 40 mijë arbitra në Europë.
Gjithashtu, vizitova qendrën VAR këtu në federatë, që është po ashtu një hap i madh dhe duket që ju po bëni shumë hapa të mirë përpara.
Seminari fokusohet te përgatitja e arbitrave në fillim të sezonit, duke rifreskuar rregullat e futbollit dhe ndryshimet e reja të tyre. Në këtë mënyrë ne shkëmbejmë këndvështrime, diskutojmë dhe i inkurajojmë të bëjnë pyetje, në mënyrë që të kenë çdo gjë të qartë në mendjen e tyre kur hyjnë në fushë” – u shpreh instruktori i UEFA-s Kapitanis.
Ndërkaq, instruktori i UEFA-s Bekim Zogaj vlerësoi organizimin dhe infrastrukturën e krijuar në Shqipëri dhe u shpreh shumë optimist për performancën e arbitrave në sezonin e ri futbollistik.
“Punimet e seminarit po ecin shumë mirë. Tema ku unë kam ligjeruar ka qenë në lidhje me “offside”. Shikova një ekip shumë të mirë që ishin të motivuar dhe kriteret i njihnin shumë mirë, si asistentët dhe arbitrat e shqipërisë. Është hera e parë për mua që ligjeroj në Shqipëri. Falënderoj Sokol Jarecin dhe Federatën e Futbollit që më ka ftuar për të qenë prezent në këtë seminar të madh dhe elitar në Shqipëri.
Organizimi me këtë infrastrukturë është tepër profesional. Djemtë dhe vajzat janë shumë të përgatitur dhe besoj se do të ketë performancë të mirë në kampionatin “Abissnet Superiore” në Shqipëri” – theksoi Bekim Zogaj.