
Federata e Futbollit vijon punën për përmirësimin e infrastrukturës sportive në të gjithë vendin, me fokus zhvillimin e futbollit të moshave dhe krijimin e kushteve sa më cilësore për të rinjtë.
Një tjetër investim është drejt përfundimit në qytetin e Durrësit, në kuadër të mbështetjes së Shoqatave Rajonale të Futbollit. Ky projekt është realizuar me kërkesë të Shoqatës Rajonale të Futbollit Durrës dhe ka si objektiv krijimin e hapësirave cilësore për zhvillimin e aktiviteteve futbollistike të të rinjve.
Investimi konsiston në furnizimin dhe montimin e tapetit me bar artificial në një prej fushave të “Kompleksit Olimpik” në Durrës, një qendër që shërben për stërvitje dhe gara për futbollistët e moshave dhe klubet lokale.
Ky është një tjetër hap konkret i ndërmarrë nga FSHF në kuadër të strategjisë për zhvillimin e infrastrukturës futbollistike në nivel kombëtar, duke ndikuar drejtpërdrejt në përmirësimin e kushteve të punës dhe stërvitjes për futbollistët e së ardhmes.
