
Florentina Kuqi ishte një nga prurjet e reja në Kombëtaren e vajzave. 20-vjeçarja luajti pikërisht në ndeshjen e sotme që Shqipëria humbi 0-5 përballë Norvegjisë në stadiumin “Loro Boriçi”. Pikërisht në Norvegji, Kuqi luan me ekipin e Sarpsborg 08.
Në një intervistë të dhënë së fundmi për mediat norvegjeze, talentja premtuese e Kombëtares shqiptare flet për tema të ndryshme. Ajo flet për momentin më të vështirë në fillim e karrierës, kur mjekët dyshuan që ajo ishte anemike.
“Më së shumti që kam bërë ishin 9 ndeshje në javë. Nëna dhe babai ishin kundër. Ata u përpoqën që të më ndaloninm, por ishte e pamundur. Unë duhej të përfshihesha në çdo gjithçka. Por duhet t’i kisha dëgjuar prindërit. Pas këmbët e mia sap o vinin e bëheshin më të rënda. Më duhej të ecja me paterica”, është shprehur fillimisht Florentina.

Më tej, babai i futbollistes kishte marrë një telefonatë nga mjekët. Këta të fundit i kishin treguar analizat e gjakut, duke i thënë që vajza e tij ishte anemike. Kjo krijoi panik në familjen Kuqi, me Florentinën që bëri analiza të tjera.
“Nuk je anemike. Ke pasur fat”, i kanë thënë mjekët Florentinës pas analizave të dyta.
Ky gabim kishte ndodhur pasi mostrat e gjakut të futbollistes ishin përzier me të një 80-vjeçari.
“Është vërtetë e çuditshme. Nëse ai gabim nuk do të kishte ndodhur dhe të ishte e vërtetë, mund të mos isha kurrë pjesë e Sarpsborg. Ishte fat për të cilin jam shumë i lumtur. Nuk më shpëtoi vetëm karrierën, por të gjithë jetën”, thotë më tej Kuqi.

Por nuk përfundoi me kaq, pasi më vonë Florentinës i thanë në spital që ishte diagnostikuar me një sindromë të quajtur “Guillan-Barre”. Një inflamacion akut i sistemit nervor që çon në një shkallë të madhe ose më të vogël të paralizës. Këtë sëmundje, Kuqi mund ta kishte marrë edhe nga stërvitjet e shumta që kryente për të qenë sa më lart fizikisht në futboll.
“Gjërat u kthyen. Ishte një çmendur. Është një sëmundje që të merr rrënjët nervore. Për mua filloi nga duart, ishte një ndjesi si shpim gjilpërash. Kam qenë e shpejtë, por pas sëmundjes e vura re që nuk e kisha më këtë aftësi. Ishin javë intensive, përfundova në një karrige me rrota për një javë. Kjo ishte e rëndë për mua”, shtoi 20-vjeçarja.

Megjithatë përtej vështirësive, Florentina Kuqi tregon edhe momentet emocionuese kur u bë pjesë e Kombëtares shqiptare. Ishin pikërisht arritjet me Sarpsborg 08, ata që bënë që Kuqi të binte në sy te Kombëtarja kuqezi.
“Më kujtohet që lotët rrodhën. Ishte emocionale. Gjëja e parë që bëra ishte telefonata me babain. Ka qenë një ëndërr për të gjithë familjen. Është diçka e madhe për mamanë, babain dhe vëllezërit e mi që unë të luaj me flamurin kuqezi në gjoks”, thotë më tej futbollistja.
Edhe pse e lindur dhe rritur në Norvegji, Florentina Kuqi tregon marrëdhënien e ngushtë dhe dashurinë që ka për Shqipërinë.
“Tani që jam rritur, shkojmë për pushime në çdo verë. Nuk do t’i ndërroja pushimet e mia familjare në Shqipëri me asgjë tjetër”, ishin fjalët e Kuqit.