Në FSHF TV u transmetua emisioni i 32-të i “Në Shtëpinë e Futbollit”, me fokus te Kombëtaret shqiptare, faza “Final Four” e “Abissnet Superiore”, investimet infrastrukturore dhe sukseset e futbollit shqiptar brenda dhe jashtë vendit.
Nën moderimin e Lenida Halilaj, të ftuar në studio ishin Drejtori i Edukimit në FSHF, Ardi Behari, dhe Drejtori i Eventeve në FSHF, Tritan Kokona.
Në pjesën e parë të emisionit u diskutua për Kombëtaren shqiptare dhe trajnerin e ri, Rolando Maran, ndërsa vëmendje të veçantë mori edhe lista e lojtarëve që do të publikohet nesër për dy ndeshjet miqësore ndaj Izraelit dhe Luksemburgut. Gjithashtu, u analizua edhe lista e Kombëtares U-21, e publikuar nga trajneri Alban Bushi, për dy miqësoret ndaj Sllovenisë dhe Italisë, si edhe kalendari i ngjeshur i ekipeve Kombëtare gjatë muajit qershor.
Në një lidhje live në studio ishte edhe sulmuesi i talentuar i Kombëtares U-21, Erald Maksuti, i cili foli për transferimin e tij te skuadra ruse Akhmat Grozny, pas paraqitjeve të mira në “Abissnet Superiore”. Maksuti ndau emocionet e këtij hapi të rëndësishëm në karrierë, foli për sezonin në kampionatin shqiptar dhe objektivat me Kombëtaren U-21 në dy ndeshjet miqësore të muajit qershor.
Pjesa e dytë e emisionit iu dedikua “Final Four” të “Abissnet Superiore”, ku të dielën do të vendoset titulli kampion. Diskutimet u fokusuan te përballjet Vllaznia – AF Elbasani dhe Egnatia – Dinamo City, që do të zhvillohen në “Air Albania” dhe “Elbasan Arena”. Të ftuarit analizuan skenarët e mundshëm dhe shanset e secilës skuadër për të fituar titullin kampion të këtij sezoni, ndërsa Drejtori i Eventeve në FSHF, Tritan Kokona, dha edhe disa detaje lidhur me organizimin e ceremonisë së titullit kampion.
Në emision u vlerësua edhe suksesi i trajnerit shqiptar Erbim Fagu, i cili fitoi Kupën e Holandës U-19 me ADO Den Haag, pas triumfit 3-0 në finale ndaj AZ Alkmaar.
Gjithashtu, pjesë e diskutimeve ishin edhe investimet infrastrukturore në stadiumin “Niko Dovana”, në kuadër të përgatitjeve për UEFA Euro U-21 2027, kompeticion ku Shqipëria do të jetë një nga vendet organizatore.
