
Shoqata e Klubeve Europiane (ECA) zhvilloi së fundmi një takim me përfaqësues të klubeve shqiptare, në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”. Gjatë këtij takimi u diskutua rreth rolit të ECA-s si organizatë përfaqësuese e klubeve europiane dhe si një partnere e rëndësishme e UEFA-s dhe federatave anëtare.
Pjesë e diskutimeve në këtë takim ishte edhe përfshirja e klubeve në strukturat e ECA-s, si dhe përfitimet që u vijnë klubeve nga anëtarësimi në këtë organizatë.
Në një prononcim për fshf.org, përfaqësuesja e ECA-s, Sarah Solémalé, vlerësoi takimin me përfaqësuesit e klubeve shqiptare, duke theksuar angazhimin e organizatës për të shërbyer klubeve shqiptare në mënyrën më të mirë të mundshme. Ajo u shpreh gjithashtu e kënaqur me bashkëpunimin me FSHF-në.
“Sot ishte një mbledhje e rëndësishme për klubet shqiptare sepse për ECA-n është e rëndësishme të jetë prezente në Ballkan dhe sidomos këtu në Shqipëri. Kemi organizuar takime të ngjashme në të gjithë kontinentin europian dhe kjo ishte hera jonë e parë që vijmë në Shqipëri dhe jemi shumë pozitivë. Shkëmbimet ishin shumë interesante dhe gjithashtu të dretëpërdrejta dhe të sinqerta. Mbajtëm shënim vërejtjet dhe vëzhgimet konstruktive dhe do t’i dërgojmë në selinë tonë për të gjetur zgjidhje dhe për t’iu shërbyer klubeve shqiptare.
Sa i përket bashkëpunimit me FSHF-në, jemi shumë të lumtur për pritjen këtu sot. Mendoj se është vetëm fillimi, ne po hedhim themelet për një bashkëpunim të mëtejshëm me FSHF-në dhe me këtë rast dua të falënderoj Presidentin Duka, që e ka bërë të mundur këtë gjë. Ajo çka është e rëndësishme për ne është të ecim së bashku përpara dhe t’u shërbejmë klubeve në mënyrën më të mirë të mundshme” – tha në fjalën e saj për fshf.org, Sarah Solémalé.