
Kryeministri dhe njëkohësisht Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, zhvilloi një takim me sportistë, drejtues të federatave sportive dhe të rinj, ku prezantoi vizionin strategjik të qeverisë për zhvillimin e sportit në vend, si dhe vuri në dukje investimet e deritanishme në infrastrukturën sportive.
“Përshëndetje!
Shumë faleminderit, shumë respekt!
Është kënaqësi e veçantë që të jem këtu sot së bashku me disa miq nga koha e vjetër kur i thonë fjalës dhe me shumë të rinj e me fëmijët që i japin gjithë këto ngjyra dhe gjithë këtë energji të bukur kësaj hapësire.
Dua ta filloj duke thënë që jo shumë larg nga sot kjo pamje ishte e paimagjinueshme, këtu ishin ferra, nuk kishte më asgjë, ndërkohë që edhe vetë orët e edukimit fizik ishin fshirë nga programi i shkollës. Mësuesit e edukimit fizik kishin mbetur rrugëve, Universiteti i Sporteve ishte i abandonuar dhe një grup don Kishotësh si Gaz Caci, jo se Pjerin Bushati ka ardhur vonë se ishte rehat andej nga Itali, por flasim për Gazin, për Ilir Trebickën dhe disa të tjerë që, të paktën flas për basketbollin, përpiqeshin të mbanin gjallë disa skuadra fëmijësh duke u përpjekur në dy palestra të mbetura ndërsa sot jo vetëm kjo pamje, por e gjithë panorama e sportit është ndryshe.
Sot ne kemi afro 400 palestra në Republikën e Shqipërisë të cilat në masën më të madhe, nuk po them 100% por 85% e tyre janë me ato standarde të palestrave që ne kishim asokohe tek ekipi Studenti apo ndonjë palestër tjetër që e përdornim si alternativë.
Sot janë 12 mijë fëmijë që janë të angazhuar në Lëvizjen Sportive në shkolla që janë baza, siç e tha dhe profesori këtu, janë baza dhe për ekipet zinxhir, por më shumë sesa kaq janë baza për një kulturë të re sportive të shoqërisë duke filluar nga shkolla. Ne duam dhe duhet patjetër ta rrisim këtë numër, duhet të rrisim dhe numrin e disiplinave sportive, nuk mund të mbetemi vetëm tek volejbolli dhe basketbolli, duhet ta shtrijmë me disiplinat e tjera, duhet që në bashkëpunim me Komitetin Olimpik Shqiptar që ka qenë kyç në gjithë këtë transformim të kuptojmë sesi mund të ndërtohen nuklet në çdo bashki për mundjen, për peshëngritjen apo për disiplinat e tjera që përmendi presidenti i Komitetit Olimpik e deri tek shahu dhe patjetër që duhet të rrisim kapacitet e edukimit, domethënë duhet të rrisim numri ne trajnerëve, është e domosdoshme dhe të përmirësojmë edhe metodologjinë.
Unë jam i bindur që gjithë kjo bazë do na japë sodisfaksione të posaçme kur këta fëmijë do të arrijnë në nivelin kompetitiv qoftë për skuadrat e vajzave dhe qoftë për skuadrat e djemve.
Natyrisht që unë mbase jam nostalgjik, unë nuk pres që të rilindë Gaz Caci sepse kjo do jetë pak e vështirë por Pjerin Bushati nuk diskutohet që do rilindë, si Pjerini do kemi lojtarë, kjo nuk diskutohet. Nuk e dimë kush do i pasojë Pjerinit, apo jo Gazi? Se kush do i pasojë Pjerinit nuk është e qartë, por si Pjerini do kemi dhe prandaj Franko ka ardhur këtu që të prodhojë Pjerina të tjerë se ti prodhove Frankon dhe Franko do prodhojë Pjerina. Janë ato humoret e mia me shokët e kombëtares së basketbollit.
Gjëja tjetër që dua të theksoj është që infrastruktura ka nevojë akoma shumë. Foli ministrja për stadiumet. Ne kemi çuar përpara 3 projektet e reja për stadiumin e Vlorës, Korçës dhe Durrësit që tani janë në fazat e garave për partnerin privat sepse të treja do të zhvillohen si stadiumi kombëtar me Partneritet Publik Privat ndërkohë ka mbaruar konkursi dhe për stadiumin Selman Stërmasi, i cili po ashtu do të zhvillohet me partneritet privat dhe ndërkohë kemi filluar procesin për Pallatin e Sportit që duhet të transformohet në një Pallat Sporti që të jetë në gjendje të presë, të mikpresë dhe finale të nivelit më të lartë ndërkombëtar nga pikëpamja e kapacitetit.
Në fund fare, se nuk dua t’ju lodh shumë, besoj që nuk mund të rrimë në vend-numëro vetëm me një pistë atletike si ajo që kemi ndërtuar. Shumë bukur që e ka bërë Bashkia e Tiranës, por duhet të gjejmë rrugë alternative dhe duhet patjetër që të krijojmë një hapësirë edhe për atletikën në bashkëpunim me Federatën e Atletikës sepse është mbretëresha e sporteve dhe për atë që ne na duhet sa i përket kulturës fizike, edukimit fizik, atletika është kyç kështu që shpresoj shumë që të gjejmë një mënyrë se si ne përmes Komitetit Olimpik ta mbështesin Federatën e Atletikës që dhe atletika të hyjë në këto disiplinat e ekipeve sportive në shkolla.
Në fund, patjetër që ne jemi shumë të lehtësuar që e kemi zgjidhur problemin e kampionëve. Sot nuk ka më kampionë që enden rrugëve sepse pasi kanë mbaruar karrierën e kanë të pamundur të jetojnë në mënyrë normale, kemi ndërtuar sistemin e gradave në Forcat tona të Armatosura që i vlerëson kampionët dhe u jep një perspektivë jete të qartë dhe i kthen në asete që vazhdojnë i shërbejnë sportit, vazhdojnë i shërbejnë vendit qoftë si shembuj në Forcat e Armatosura, qoftë si mentorë, si këshilltarë apo si trajnerë.
Përtej kësaj, është shumë e qartë që tanimë buxheti për Komitetin Olimpik Shqiptar i cili ka marrë një pozicion shumë të nderuar kombëtarisht dhe ndërkombëtarisht dhe ka justifikuar veten përtej të gjitha pritshmërive është i pamjaftueshëm siç është i pamjaftueshëm buxheti për Federatat e shumë-sportëshit kështu që me siguri ne do ta fillojmë vitin e ardhshëm me një rritje të buxhetit të Komitetit Olimpik dhe mendoj që ka ardhur koha që të ulemi me seriozitet dhe të mbyllim dhe çështjen e ligjit të sponsorizimeve. Nuk ka qenë e lehtë për ne, për hir të vërtetës, nga pikëpamja financiare, por sot është e mundur. Kështu që, më e mira është e gjitha përpara them unë dhe besoj se kështu është dhe nëse sot ne kemi këtu një shembull që nuk mund të imagjinohej deri disa vite më parë të fëmijëve që mësojnë të luajnë në skuadër në një nga shkollat më të famshme të futbollit që është shkolla e Manchester City, shumë shpejt do të kemi gjithë infrastrukturës e Akademisë dhe shkollës në Durrës ku, ashtu siç edhe kemi biseduar me pronarët dhe drejtuesit teknikë të Manchester City, do krijojmë një destinacion rajonal për gjithë talentet e futbollit.
Ashtu siç edhe kemi biseduar me pronarët dhe drejtuesit teknikë të Manchester City-t, do krijojmë një destinacion rajonal për gjithë talentet e futbollit.
Në të njëjtën kohë jemi duke hedhur hapat e nevojshëm për të ndërtuar dhe akademinë e tenisit, Akademinë Rafa Nadal po në Durrës. Kemi filluar dhe diskutimet e NBA për akademinë e NBA. NBA do të bëjë një akademi në rajon dhe ju pëlqen që akademia të vendoset në Shqipëri. Kanë parë dhe zonën atje kështu që Durrësin do ta bëjmë, si të thuash destinacion të një kompleksi akademish sportive. Kështu që besoj që edhe në aspektin e kërkimit të cilësisë së lartë dhe të rritjes së konkurrueshmërisë së Shqipërisë në nivelin ndërkombëtar, jemi në rrugën e duhur, por gjëja më e rëndësishme është që kemi hedhur themelet që na kanë munguar për shumë e shumë vite pasi u ‘’hodhën në erë’’ një herë e një kohë e pasi sporti u abandonua plotësisht.
Ju falenderoj shumë të gjithëve!
Dua të falenderoj në mënyrë të posaçme të gjithë kryetarët e Federatave. E di që nuk e kanë të lehtë, e di që janë aty, në radhë të parë për pasion, e di që shumë shpesh në shumë raste kërkojnë lart e poshtë për të mundur të shtojnë sadopak financimin për Federatën dhe për sportistët e tyre, por njëkohësisht dua që ta dinë që ne do të rrisim mbështetjen, siç thashë për komitetin, gjë që do të ndikojë patjetër edhe në përmirësimin e kushteve financiare të Federatave.
Dua të falenderoj të gjithë trajnerët e Lëvizjes Sportive në shkolla. E çmoj shumë, jashtëzakonisht shumë punën që ata bëjnë dhe dua ta mbyll duke iu kërkuar të gjithëve një duartrokitje për paraolimpikët që janë krenari dhe frymëzim për të gjithë, duke vlerësuar posaçërisht një mik të vjetër, Landin që qëndron aty i paepur në një llogore që meriton të gjithë admirimin e shoqërisë sonë.
Shumë faleminderit të gjithëve!”, shprehet kryeministri.