Përgjegjësi i Departamentit Teknik të UEFA-s, njëkohësisht ish-futbollist i njohur i Lille, Bordeaux, Olympique Marseille, Liverpool dhe Nantes, Bruno Cheyrou, zhvilloi një vizitë të veçantë në Shqipëri, ku mori pjesë në takime të ndryshme në FSHF. Në kuadër të kësaj vizite, ai zhvilloi edhe një takim të hapur me futbollistët e Elite Youth Development Academy në Durrës.
Përgjatë takimit të tij ai foli për rëndësinë e projekteve me fokus të rinjtë në futboll, ndau momente nga karriera e tij si futbollist, si dhe dha disa mesazhe të rëndësishme për djemtë kuqezi.
“Nëse je me fat që të bëhesh një futbollist profesionist, është shumë mirë për ju, por kaq. Gjëja më e rëndësishme është të bëhesh një njeri i mirë dhe të jesh i lumtur në jetë. Nëse arrin të vendosësh futbollin në shërbim të jetës, është më mirë se të vendosësh jetën në shërbim të futbollit” – u shpreh Bruno Cheyrou.
“Uefa i jep shumë rëndësi të gjithë projekteve që ndihmojnë lojtarët e rinj të zhvillohen në mënyrën më të mirë dhe për ta bërë këtë duhen ambiente, të cilat janë këtu, si dhe trajnerë të mirë rreth jush që ju ndihmojnë të bëheni lojtarë të mirë, sepse një trajner i mirë do të sigurojë lojtarë më të mirë për një ndeshje më të mirë” – theksoi Përgjegjësi i Departamentit Teknik të UEFA-s.
Në ditët në vijim, është programuar një tjetër takim i veçantë për kuqezinjtë e vegjël, të cilët do të vizitohen nga trajneri i Kombëtares, Silvinjo.
