
Gazetarja e sportit, Qeqa Krelani, përmes një statusi në rrjete sociale ka denoncuar se mbrëmjen e djeshme teksa luhej ndeshja e futbollit Serbi-Angli në stadiumin e Beogradit, të pranishëm ishin edhe autorët terroristë të sulmit në Banjskë të cilët janë shpallur në kërkim nga Shtatori i vitit 2023.
Krelani thekson në postimin e saj se terroristët pjesë e grupit të kryeterroristit Milan Radoiçiç, gjatë ndeshjes janë përfshirë në akte dhune duke brohoritur "Kosova është Serbi".
Në foton e publikuar, Krelani pretendon se janë Stefan Jovanoviq, Stefan Radojkoviq, Marjan Radojeviq dhe Danjel Dukiq, të gjithë të akuzuar dhe të shpallur në kërkim për sulmin e Banjskës.
Të akuzuarit janë shpallur në kërkim pas sulmit në Banjskë të Zveçanit në Shtator të vitit 2023, kohë kur një grup i armatosur serbësh sulmoi Policisë e Kosovës dhe mbeti i vrarë efektivi Afrim Bunjaku ndërsa tre të tjerë mbetën të plagosur.
