
Projekti Elite Youth Development Academy vijon në sezonin e dytë me program intensive stërvitjesh, ndeshjesh miqësore dhe takime frymëzuese me figura të rëndësishme të sportit shqiptar.
Këtë javë, kuqezinjtë e vegjël patën mundësi të bisedonin gjatë me futbollistin e KF Egnatia, Albano Aleksi. Gjatë bisedës, Aleksi ndau disa nga momentet më të veçanta të karrierës së tij, iu përgjigj pyetjeve kurioze të djemve dhe ndau këshilla të vlefshme me ta, të cilat do t’i shërbejnë për të arritur objektivat e tyre për të qenë futbollistë profesionistë dhe për të përfaqësuar një ditë vendin me fanellën e Kombëtares.
“Është kënaqësi të ndodhem mes jush. Kur kam qenë i vogël, në përgjithësi më pëlqenin shumë role dhe ndonjëherë mërzitesha kur trajneri më vendoste diku, por roli im ka qenë gjithmonë mesfushor. Unë kam luajtur me ekipin e Butrintit dhe për 6 muaj nuk kam luajtur asnjë minutë, madje kam qenë larg familjes. Shkoja në shtëpi, mërzitesha me veten time, por asnjë ditë se kam lënë stërvitjen, se kam ulur kokën dhe sot që jam 33 vjeç, akoma luaj futboll”, – rrëfeu Aleksi.
“Ti gjithmonë mund të jesh më i mirë se dikush, por në futboll ka edhe pakënaqësi. Forca ime ka qenë gjithmonë vetëvetja dhe puna, sepse në radhë të parë duhet të jesh i ndërgjegjshëm dhe i pastër me veten për të arritur atë që do, sepse puna një ditë shpërblehet dhe trajneri në të ardhmen do të ta shpërblejë punën që bën”, – shpjegoi futbollisti i Egnatias, Albano Aleksi.
Në javët e ardhshme, talentet e Elite Youth Academy do të kenë mundësi të ulen sërish në bisedë me lojtarë të njohur të kampionatit shqiptar dhe trajnerë me eksperiencë, të cilët mund t’i udhëzojnë në karrierën e tyre futbollistike.